Formati dhe Struktura e FIFAs për Provimin e Agjentëve të Futbollit
FIFA ka prezantuar ndryshime të mëdha strukturore për Provimin e Agjentëve të Futbollit, të cilat hyjnë në fuqi nga data 4 Mars 2025. Këto përditësime shënojnë një ndryshim nga vlerësimet e mëparshme me prezencë fizike në qendra të caktuara, drejt një formati plotësisht online, me protokolle më të rrepta monitorimi dhe kërkesa të reja teknike. Qëllimi i këtyre ndryshimeve është të rritet ndershmëria, transparenca dhe standardizimi, duke siguruar që të gjithë kandidatët, pavarësisht nga vendndodhja e tyre, ta japin provimin në kushte të barabarta dhe të kontrolluara rreptësisht.
Nën sistemin e mëparshëm, kandidatët ishin të detyruar të jepnin provimin fizikisht në qendra të caktuara nga Federatat Kombëtare të Futbollit. Kjo lejonte kushte të kontrolluara, por kishte variacione të konsiderueshme në mjediset e provimit. Disa federata ofronin mbështetje të ndryshme teknike, akses të internetit dhe kushte të ndryshme infrastrukturore, kurse disa të tjera, jo dhe aq shumë. Për më tepër, rregullat për materialet e lejuara nuk ishin konsistente: disa federata lejonin shënime të printuara, të tjera vendosnin kufizime më të rrepta.
Tani, FIFA ka hequr të gjitha provimet në këto qëndra dhe i ka zëvendësuar me një format vetëm online, që do të thotë se kandidatët duhet ta japin testin në një ambient privat, të vetë menaxhuar. Ky ndërrim vendos më shumë përgjegjësi mbi kandidatët për të siguruar teknologjinë e nevojshme, stabilitetin e internetit dhe një hapësirë të përshtatshme për të dhënë provimin. Sistemi i ri sjell masa të shtuara sigurie, duke përfshirë akses të detyrueshëm të kamerës dhe mikrofonit në kompjuterin e kandidatit, si dhe monitorim të dytë përmes një telefoni smartphone. Ndryshe nga më parë, ku vëzhguesit ishin të pranishëm fizikisht, FIFA tani do përdorë mjete të monitorimit të bazuara në inteligjencën artificiale për të ndjekur sjelljen dhe për të zbuluar aktivitet të dyshimtë në kohë reale.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm është heqja e të gjitha pushimeve gjatë periudhës 60-minutëshe të provimit. Më parë, kandidatëve u lejohej të bënin pushime për nevoja personale, por kjo nuk lejohet më. Pasi të fillojë provimi, kandidati duhet të qëndrojë i dukshëm në kamera dhe i ulur deri në përfundim të kohës. Nëse një kandidat largohet nga pozicioni, shikon larg për një periudhë të gjatë, ose humbet lidhjen e internetit, përpjekja e provimit do të anullohet menjëherë, duke e detyruar kandidatin të aplikojë për një seancë të ardhshme.
Gjithashtu, FIFA ka vendosur rregulla më të rrepta për sjelljet e papërshtatshme gjatë provimit. Në sistemin e vjetër, shkeljet si komunikimi i paautorizuar, përdorimi i materialeve të jashtme ose pajisjeve elektronike, mund të çonin në diskualifikim nga ajo seancë, por kandidatët shpesh mund të aplikonin përsëri në datën e radhës. Sipas rregullave të reja, shkeljet serioze si mashtrimi, marrja e pamjeve të ekranit ose shpërndarja e përmbajtjes së provimit, mund ta çojnë kandidatin në pezullim nga provimet e ardhshme, madje edhe ndalim i përhershëm për te marrë licencën e agjentit të FIFAs.
Me këto përditësime, FIFA synon të krijojë një proces provimi të unifikuar dhe të rregulluar, duke eliminuar mospërputhjet në kushtet e provimit dhe duke parandaluar avantazhet e padrejta. Kandidatët duhet të jenë plotësisht të përgatitur, si nga ana teknike, ashtu edhe nga ana e njohjes së rregullave të provimit, pasi çdo dështim për të përmbushur kërkesat mund të rezultojë në humbjen e seancës së tyre.
Formati i Provimit dhe Kërkesat Minimale për Kalim
Provimi për tu bërë një Agjent Futbolli i liçencuar nga FIFA tani zhvillohet tërësisht online, duke zëvendësuar formatin e mëparshëm me prezencë fizike. Kjo bën që kandidatët të mos kenë nevojë të udhëtojnë në qendra të caktuara nga federatat dhe u vendos më shumë përgjegjësi për të siguruar pajisjet teknike dhe mjedisin pa shpërqëndrime. Provimi zgjat 60 minuta dhe për të kaluar, kandidatët duhet të përgjigjen saktë të paktën 75% të pyetjeve.
Provimi përbëhet nga pyetje me alternativa të shumëfishta që vlerësojnë njohuritë e kandidatëve mbi rregulloret e FIFAs, duke përfshirë transferimet e lojtarëve, marrëveshjet kontraktuale, përgjegjësitë e ndërmjetësuesve dhe qeverisjen e përgjithshme të futbollit. Pyetjet janë të dizajnuara të testojnë jo vetëm njohuritë faktike, por edhe aftësinë për të aplikuar rregullat e FIFAs në situata reale që mund të ndeshen gjatë përfaqësimit të lojtarëve dhe klubeve.
Një nga ndryshimet më të rëndësishme është ndalimi i rreptë i pushimeve gjatë provimit. Më parë, kandidatët mund të kërkonin pushime të mbikëqyrura, por tani nuk lejohet asnjë ndërprerje. Kjo do të thotë se, pasi të fillojë provimi, kandidati duhet të qëndrojë ulur, i dukshëm në kamera dhe i përqendruar deri në përfundim të 60 minutave. Çdo largim, qoftë për arsye teknike, personale apo shkëputje aksidentale, rezulton në diskualifikim automatik dhe kandidati duhet të presë datën e ardhshme për të riprovuar.
Duke pasur parasysh këto kushte më të rrepta, FIFA këshillon fort kandidatët të përgatiten mirë para fillimit të provimit, duke siguruar një lidhje të qëndrueshme interneti, pajisjet e nevojshme dhe një hapësirë të qetë pa ndërprerje.
Kërkesat Teknike dhe Konfigurimi
Meqenëse provimi zhvillohet plotësisht online, FIFA ka vendosur kërkesa të rrepta teknike për të garantuar një mjedis të sigurt dhe të standardizuar. Kandidatët janë tërësisht përgjegjës për vendosjen dhe mirëmbajtjen e kushteve të tyre të provimit, pasi FIFA nuk ofron mbështetje teknike gjatë testit.
Për të dhënë provimin, kandidatët duhet të kenë:
- Një laptop ose kompjuter desktop me kamera dhe mikrofon funksional, të cilët duhet të qëndrojnë të aktivizuar gjatë gjithë provimit. Sistemi i monitorimit të FIFAs mbështetet në këto pajisje për të ndjekur sjelljen e kandidatit dhe për të zbuluar parregullsi.
- Një telefon smartphone, që do të përdoret për monitorim të dytë. Mund të kërkohet që telefoni të vendoset në mënyrë që të japë një kënd shtesë të hapësirës së ku merrni provimin. Telefoni nuk mund të përdoret për asnjë funksion tjetër gjatë provimit.
- Lidhje të qëndrueshme dhe të besueshme interneti. FIFA ka sqaruar se çdo ndërprerje e internetit do të anullojë përpjekjen e provimit, pa mundësi për të vazhduar testin. Nëse kandidati humbet lidhjen në çdo moment, seanca e tij do të ndërpritet dhe kandidatit do ti duhet të aplikojë për një seancë të ardhshme.
Për shkak të rëndësisë së këtyre kërkesave teknike, FIFA këshillon kandidatët të testojnë pajisjet, shpejtësinë e internetit dhe funksionimin e kamerës përpara datës së provimit. Nëse ndodhin probleme teknike gjatë provimit, qofshin të lidhura me internetin, pajisjet ose programet, kandidati nuk do të marrë kohë shtesë apo mundësi për riprovim në të njëjtën seancë. Do të duhet të presë provimin e radhës dhe të riaplikojë. Kandidatët duhet të sigurojnë gjithashtu një hapësirë të qetë, të ndriçuar mirë dhe pa shpërqendrime, pasi çdo lëvizje jashtë kornizës, humbje e dukshmërisë ose sjellje e dyshimtë mund të çojë në shqyrtim ose diskualifikim.
Vendi i Provimit dhe Sjellja e Kandidatëve
Edhe pse provimi tani zhvillohet tërësisht online, FIFA kërkon që kandidatët ta përfundojnë atë në një ambient të qetë, privat dhe pa ndihmë të jashtme. Kushtet duhet të ngjajnë me një mjedis zyrtar provimi, për të garantuar ndershmëri dhe integritet globalisht. Për të zbatuar këto standarde, FIFA ka implementuar masa të rrepta monitorimi për të zbuluar dhe parandaluar çdo formë mashtrimi apo shkelje të rregullave.
Sistemi i monitorimit përfshin:
- Mbikëqyrje të drejtpërdrejtë me video përmes kamerës së laptopit ose desktopit, e cila duhet të jetë e aktivizuar dhe pa pengesa gjatë gjithë provimit.
- Monitorim të dytë të detyrueshëm me telefon smartphone, që mund ti kërkohet kandidatit të tregojë një kënd më të madh të hapësirës së punës. Kjo siguron që provimi të përfundohet pa ndihmë të jashtme apo materiale referuese të paautorizuara.
- Ndjekje të sjelljes me inteligjencë artificiale, që zbulon lëvizje të dyshimta, shikime të shpeshta larg ekranit, zhurma të pazakonta në sfond ose shenja të tjera të mundshme të shkeljes. Nëse sistemi e shënon kandidatin, seanca mund të rishikohet, duke çuar në diskualifikim ose pezullim nga provimet e ardhshme.
Kandidatët duhet të qëndrojnë ulur, të dukshëm në kamera dhe plotësisht të përqendruar gjatë gjithë 60 minutave të provimit. Shikimi larg ekranit për një kohë të gjatë, komunikimi i çfarëdo lloji apo përdorimi i materialeve të paautorizuara mund të shkaktojë sinjalizim automatik të shkeljes. Edhe shkeljet e vogla, si ndryshimi i shpeshtë i pozicionit apo të folurit me zë të lartë, mund të çojnë në shqyrtim të mëtejshëm dhe potencialisht diskualifikim.
Për të shmangur probleme të panevojshme, FIFA rekomandon që kandidatët të përgatisin ambientin për provim paraprakisht, duke siguruar ndriçim të mirë, sfond neutral dhe pa shpërqendrime. Çdo ndërprerje, si hyrja e dikujt në dhomë, zhurma në sfond ose ndërprerje të internetit, mund të çojë kandidatin në diskualifikim automatik dhe ai ose ajo duhet të aplikojë për provimin e ardhshëm.
Artikuj të Lejuar dhe të Ndaluar
FIFA ka vendosur udhëzime të qarta mbi artikujt që kandidatët mund dhe nuk mund të kenë në ambientin e provimit. Çdo artikull i paautorizuar mund të çojë në diskualifikim të menjëhershëm dhe, në raste serioze, pezullim nga provimet e ardhshme.
✔️ Artikuj të Lejuar
Kandidatët mund të kenë:
- Materiale studimi, vetëm nëse janë të ruajtura në mënyrë dixhitale në laptopin ose desktopin e përdorur për provim.
- Syze optike me numër, nëse nevojiten për korrigjimin e shikimit.
- Një stilolaps dhe një fletë të bardhë për shënime gjatë provimit. Fleta duhet të tregohet në kamera para dhe pas përdorimit për të siguruar që nuk ka shënime të parapërgatitura.
- Kalkulatorin e integruar në platformën online të FIFAs.
❌ Artikuj të Ndaluar
Të ndaluara gjatë provimit janë:
- Telefona smartphone, përveç atij që përdoret për monitorim. Ky telefon duhet të vendoset sipas udhëzimeve dhe nuk mund të përdoret për asnjë funksion tjetër gjatë testit.
- Ora smartwatch, kufje ose pajisje të tjera që mund të lidhen me internetin.
- Hyrja në faqe të jashtme interneti përveç platformës zyrtare të provimit të FIFAs. Çdo përpjekje për të shfletuar internetin ose për të hapur faqe të paautorizuara do të konsiderohet shkelje.
- Dokumente të printuara, shënime me dorë ose materiale fizike studimi. Ndryshe nga provimet e mëparshme, tani lejohen vetëm materiale dixhitale në laptopin e përdorur për provim.
- Kalkulatorë fizikë. Të gjitha llogaritjet duhet të bëhen me kalkulatorin e platformës së FIFAs.
FIFA ka theksuar se çdo përpjekje për të aksesuar materiale të paautorizuara, për të komunikuar me të tjerët ose për të përdorur pajisje të ndaluara do të trajtohet si shkelje serioze. Kandidatët që kapen duke shkelur këto rregulla rrezikojnë diskualifikim të menjëhershëm dhe mund të ndalohen nga provimet e ardhshme. Për të shmangur këto probleme, kandidatët duhet të kontrollojnë mirë ambientin para fillimit të provimit dhe të sigurohen që po respektojnë të gjitha rregullat për artikujt e lejuar dhe të ndaluar.
Sjelljet e Papërshtatshme dhe Pasojat
FIFA ka shprekur se do të ketë zero toleranë ndaj sjelljeve të papërshtatshme gjatë provimeve. Kandidatët duhet të ndjekin të gjitha udhëzimet dhe rregullat, pasi dështimi për ta bërë këtë mund të sjellë pasoja të rënda, duke përfshirë ndalim të përhershëm nga provimet e ardhshme. Sjelljet e mëposhtme janë rreptësisht të ndaluara:
- Mashtrimi: Çdo përpjekje për të fituar avantazh të padrejtë, si përdorimi i materialeve të paautorizuara, mjeteve ose marrja e ndihmës nga jashtë (nga persona të tjerë ose burime dixhitale), do të sjellë masa disiplinore të menjëhershme. Kjo përfshin përdorimin e shënimeve, librave ose burimeve të paautorizuara online.
- Regjistrimi ose Shpërndarja e Përmbajtjes së Provimit: Kandidatët nuk lejohen të marrin pamje të ekranit, të regjistrojnë ose të shpërndajnë ndonjë përmbajtje nga provimi. Kjo përfshin shpërndarjen e informacionit përmes pamjeve, videove ose çdo forme të komunikimit dixhital. Shpërndarja e materialit të provimit, qoftë pjesërisht apo tërësisht, është shkelje direkte e rregullave të FIFAs.
- Komunikimi i Paautorizuar: Të flasësh me dikë, qoftë fizikisht apo përmes mjeteve elektronike (telefon, aplikacione chat, rrjete sociale) gjatë provimit është e ndaluar. Kjo përfshin çdo formë komunikimi që mund të konsiderohet si përpjekje për të marrë ndihmë ose për të shkëmbyer informacion.
- Largimi nga Provimi pa Leje: Kandidatët duhet të qëndrojnë në seancën e provimit deri sa të përfundojnë provimin. Largimi nga dhoma ose seanca pa autorizim përbën shkelje serioze të sjelljes.
- Imitimi: Çdo përpjekje për të imituar një kandidat tjetër ose për të lejuar dikë tjetër të japë provimin në emër të kandidatit do të trajtohet me masat më të rënda. Kjo përfshin imitimin direkt ose çdo formë bashkëpunimi ku një kandidat dorëzon punën në emër të një tjetri.
Nëse një kandidat shkel ndonjë nga këto rregulla, FIFA ka autoritetin ta pezullojë nga provimi i ardhshëm ose, në raste më serioze, të vendosë ndalim të përhershëm nga pjesëmarrja në provimet e FIFAs. Ashpërsia e pasojave varet nga natyra e shkeljes, dhe ata që përsërisin këto thyerje të rregullave, përballen me ndëshkime më të rënda.
Për më tepër, FIFA ka integruar sisteme të avancuara monitorimi me inteligjencë artificiale për të zbuluar aktivite të dyshimtë. Këto mjete mund të identifikojnë modele të sjelljes që sugjerojnë mashtrim ose jo-ndërshmëri, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë për kandidatët të anashkalojnë sistemin pa u vënë re. Kjo teknologji është krijuar për të mbrojtur integritetin e procesit të provimit dhe për të siguruar një mjedis të ndershëm për të gjithë pjesëmarrësit.
Kandidatëve u këshillohet të rishikojnë dhe të ndjekin me kujdes rregullat e provimit për të shmangur komplikacionet. Shkelja e këtyre rregullave, jo vetëm që rrezikon suksesin në provim, por mund të dëmtojë reputacionin dhe mundësitë e ardhshme të kandidatëve brenda FIFAs.
Rezultatet dhe Procesi i Ankesave
Kandidatët do të marrin rezultatet e provimit me email brenda 14 ditëve nga përfundimi i testit. FIFA ka prezantuar gjithashtu një proces rishikimi që lejon kandidatët të shohin përgjigjet e tyre dhe të kuptojnë gabimet. Megjithatë, nuk lejohet më apelimi i rezultateve të provimit.
Nëse një kandidat dështon, duhet të presë datën e ardhshme të provimit për ta riprovuar. Nuk ka përjashtime dhe FIFA nuk ofron rivlerësime individuale.
Mendime Përfundimtare
Rregullat e reja të Provimit për Agjentët e Futbollit të licencuar nga FIFA shënojnë një ndryshim të madh drejt një procesi të sigurt, të standardizuar, më të aksesueshëm, efikas dhe transparent. Me monitorim më të rreptë, pa pushime dhe tolerancë zero për sjelljet e papërshtatshme, kandidatët duhet të jenë plotësisht të përgatitur para se të hyjnë në provim.
Për të rritur shanset për sukses:
- Siguroni që laptopi, telefoni smartphone dhe lidhja e internetit të plotësojnë kërkesat e FIFAs.
- Njihuni me rregulloret duke përdorur materiale studimi të lejuara dixhitale.
- Ndiqni me kujdes të gjitha rregullat e sjelljes për të shmangur diskualifikimin.
Duke kuptuar dhe zbatuar këto udhëzime të përditësuara, kandidatët mund të navigojnë me besim formatin e ri të provimit dhe të punojnë drejt fitimit të Licencës nga FIFA për Agjent Futbolli.